SHBA-ja ngre akuza të reja për Julian Assange
Departamenti amerikan i Drejtësisë, ka akuzuar themeluesin e “WikiLeaks”, Julian Assange për pranin dhe publikim të informacioneve të klasifikuara. Akuzat e përmbledhura në 18 pika u bënë publike të enjten. Akuzat e reja shkojnë shumë përtej një aktakuze fillestare kundër Julian Assange, që u publikua muajin e kaluar e cila e ngarkonte atë për komplot me ish-analisten e shërbimit të zbulimit të ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, për të thyer fjalëkalimin e një kompjuteri të Departamentit të Mbrojtjes.
Në akuzat e reja, Julian Assange ngarkohet për komplot me Chelsea Manningun për të mbledhur dhe publikuar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare, duke përfshirë kabllogramet e Departamentit të Shtetit dhe raportet mbi luftërat në Irak dhe Afganistan. Aty thuhet mes tjerash se veprimet e tij “rrezikonin të dëmtonin seriozisht” Shtetet e Bashkuara.
Julian Assange, 47 vjeçar, është në paraburgim në Londër që nga muaji prill, pasi u arrestua pas dëbimit nga ambasada e Ekuadorit, ku ishte strehuar që nga viti 2012, për të shmangur ekstradimin e tij në Suedi për t’u përballur me akuzat për sulme seksuale. Suedia më vonë e kishte anuluar hetimin, por ai mbeti në ambasadë për shkak të frikës se Britania mund ta ekstradonte atë në Shtetet e Bashkuara në lidhje me publikimin e dokumenteve të klasifikuara të qeverisë amerikane nga “WikiLeaks”.
Më 13 maj në Stokholm, një zyrtare suedeze e drejtësisë, tha se “ka ende shkaqe të mundshme për të dyshuar se Julian Assange ka kryer përdhunim”, duke shtuar se është e nevojshme që ai të merret përsëri në pyetje.