ShBA-ja nis tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë filluar tërheqjen e trupave nga Afganistani, si pjesë e një marrëveshje me talebanët që synon paqen në këtë vend.
ShBA-ja ka rënë dakord të zvogëlojnë numrin e trupave ushtarake nga 12 000 në 8 600 brenda 135 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes.
Tërheqja e trupave ishte një kusht i marrëveshjes historike të paqes të nënshkruar nga ShBA-të dhe talebanët më 29 shkurt.
Qeveria afgane nuk ka marrë pjesë në marrëveshje, por pritet të zhvillojë bisedime me talebanët.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, fillimisht ka thënë se nuk do të pajtohej me një marrëveshje për lirimin e të burgosurve talebanë si një parakusht për bisedime të drejtpërdrejta me grupin militant.
Por sipas raportimeve të fundit, presidenti i inaguruar për një mandat të dytë të hënën, do të nxjerrë një dekret për lirimin e të paktën 1 000 të burgosurve talebanë.