ShBA-ja njofton për sanksione të reja ndaj Rusisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka njoftuar një sërë masash mbështetëse shtesë për Ukrainën, duke përfshirë ndihmën për energjinë, armët dhe sanksionet.
Administrata Biden do të dërgojë dronë, një “sasi të madhe” artilerie dhe pajisje për pastrimin e minave në vijën e frontit.
Pas sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, një dërgesë e gjeneratorëve celularë do të arrijë në fund të marsit. Joe Biden planifikon të sigurojë deri 250 milionë dollarë ndihmë urgjente për energjinë nëse Kongresi bie dakord.
Thesari amerikan ka sanksionuar sot 200 individë dhe kompani në të gjithë Rusinë, Evropën, Azinë dhe Lindjen e Mesme, duke synuar institucionet financiare, industritë e mbrojtjes dhe sektorin e metaleve dhe minierave.
90 kompani të tjera që mbështesin industrinë ruse të mbrojtjes do t’i nënshtrohen masave të kontrollit të eksportit.
Në njoftimin e sotëm përfshihet edhe furnizimi me pajisje të sigurta të komunikimit. Lajmi vjen pasi ShBA-të u angazhuan për dërgimin e më shumë radarëve të mbikëqyrjes ajrore dhe armëve antitank “Javelin” në fillim të kësaj jave.
Banka Botërore ka filluar të japë 9.9 miliardë dollarë të ofruara nga ShBA-ja në financimin e granteve për kujdesin shëndetësor, arsimin dhe shërbimet e urgjencës ukrainase.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken do të riafirmojë angazhimin e palëkundur të Amerikës ndaj Ukrainës në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për paqen në vend sot.