ShBA-ja nuk i përjashton firmat evropiane nga sanksionet kundër Iranit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë refuzuar kërkesat e Bashkimit Evropian (BE) për të përjashtuar firmat evropiane nga sanksionet kundër Iranit që do të fillojnë të rikthehen muajin e ardhshëm.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dhe sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, nëpërmjet një letre kanë thënë se duan të ushtrojnë “presion të paparë” ndaj Iranit.
Lëshimet do të bëhen vetëm për çështje të sigurisë kombëtare ose humanitare, kanë thënë ata.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar rikthimin e sanksioneve kundër Iranit, pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, në muajin maj.
Më këtë marrëveshje, Irani është dakorduar të frenojë aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, që janë po ashtu pjesë e marrëveshjes së bashku me Rusinë dhe Kinën, janë zotuar se do të vazhdojnë respektimin e saj.
Ato kanë thënë se do të punojnë për të luftuar efektet e sanksioneve, por kompani të mëdha evropiane, si “Peugeot” dhe “Total”, e kanë reduktuar përfshirjen e tyre në Iran, për të mos rrezikuar perspektivat e tyre të biznesit në ShBA.
Irani ka thënë se do të mbetet në marrëveshje nëse vazhdon të ketë përfitime ekonomike.