ShBA-ja ofron shpërblim marramendës për të dhëna rreth financave të Hamasit

05 janar 2024 | 17:14

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të ofrojnë shpërblim deri në dhjetë milionë dollarë për personin ose personat që ofrojnë të dhëna rreth pesë financuesve të Hamasit ose çfarëdo shenje që çon te pengimi i mekanizmave financiar të këtij grupi, tha të premten Departamenti i Shtetit.

Oferta për shpërblim vjen pas katër valëve të sanksioneve të ShBA-së ndaj Hamasit pas sulmit vdekjeprurës të këtij grupi më 7 tetor në jug të Izraelit. Autoritetet izraelite thonë se 1.200 njerëz janë vrarë gjatë sulmit. Sipas zyrtarëve palestinezë, nga hakmarrja ushtarake pasuese e Izraelit janë vrarë 22.600 njerëz, raporton agjencia “Reuters”.

Pesë financierët e përmendur nga ShBA-ja janë: Abdelbasit Hamza Elhassan Khair, Amer Kamal Sharif Alshawa, Ahmed Sadu Jahleb, Walid Mohammed Mustafa Jadallah dhe Muhammed Ahmad ‘Abd Al-Dayim Nasrallah, të cilët më parë janë cilësuar terroristë globalë nga Shtetet e Bashkuara, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Financuesi i parë, i njohur si Hamza, ndodhet në Sudan, ka menaxhuar disa kompani në portofolin e investimeve të Hamasit dhe ka qenë i përfshirë në transferimin e gati 20 milionë dollarëve për Hamasin, ka thënë Departamenti i Shtetit.

Sipas amerikanëve, ai ka lidhje me presidentin e Sudanit, Omar Bashir, dhe me grupe islamike që e minojnë stabilitetin në këtë shtet afrikan.

Shpërblimi do të jepej për të dhëna rreth cilitdo burim të të ardhurave për Hamasin, për donatorë të rëndësishëm, institucione financiare që i lehtësojnë transaksionet për Hamasin, kompani që blejnë teknologji për përdorim të dyfishtë për këtë grup dhe skema kriminale për dobinë e Hamasit, tha Departamenti i Shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mohamed Salah është më afër nënshkrimit të një kontrate të…