ShBA-ja paralajmëron Turqinë kundër blerjes së sistemit raketor rus
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, e ka paralajmëruar Turqinë kundër blerjes së sistemit antiraketor rus “S-400”, të cilin Uashingtoni e sheh si kërcënim për avionët amerikanë.
Pence ka thënë se Turqia “duhet të zgjedhë” midis të qenët anëtare e rëndësishme e NATO-s, ose rrezikon sigurinë e këtij partneriteti, duke marrë “vendime të tilla të pamatura”.
Turqia ka thënë se blerja e sistemit të avancuar rus është tashmë një marrëveshje e bërë.
Ankaraja është duke krijuar lidhje më të ngushta me Rusinë, pas përkeqësimit të marrëdhënieve të saj me ShBA-në dhe Evropën.
Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO.
Pence po ashtu ka kritikuar Gjermaninë, një tjetër anëtare të rëndësishme të NATO-s për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtjen e saj.
Moska nuk ka bërë asnjë koment publik për zhvillimet e fundit.
Marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë janë përkeqësuar pas aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, në vitin 2014.