ShBA-ja për koronavirusin: Kjo javë do të jetë e rëndë
Numri i personave të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri në botë ka tejkaluar shifrën 15,000, ndërkohë që mbi 350,000 të tjerë janë infektuar.
Zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se situata “do të përkeqësohet” këtë javë, teksa pandemia është në përhapje e sipër.
Evropa vazhdon të jetë epiqendër e koronavirusit, pasi numri i personave të vdekur po vazhdon të rritet në Itali, Spanjë, Francë dhe Gjermani.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Italia ka numrin më të madh të viktimave, 5,476, pa harruar edhe rreth 59,000 të infektuar, një rritje prej më shumë se 1,400 vdekjeve dhe 12,000 rasteve të reja të të infektuarve brenda 48 orëve të fundit.
Italia përcillet nga Kina, ku edhe është vërejtur fillimisht virusi, me 3,274 raste deri më 23 mars, apo një rritje prej 15 vdekjeve përgjatë dy ditëve paraprake.
Nga rreth 81,500 persona që janë infektuar me Covid-19 në Kinë, Pekini ka thënë se 73,000 tanimë janë shëruar.
Pas disa javëve të vëzhgimit të disa shteteve teksa janë përballur me pandeminë, Shtetet e Bashkuara tani janë shteti i tretë më i prekur me këtë virus, pasi kanë raportuar për 35,000 persona të infektuar, duke përfshirë 471 tjerë të vdekur, ka raportuar Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve.
“Unë dua që Amerika të kuptojë që kjo javë do të jetë e rëndë”, ka thënë mjeku, Jerome Adams, në një intervistë për programin “Today” në kanalin NBC.
“Deri më tani, nuk ka mjaftueshëm njerëz që janë duke trajtuar këtë situatë me seriozitet, sidomos të rinjtë”, ka thënë ai.
/Rel/