ShBA-ja po shqyrton sanksione shtesë kundër Rusisë
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë duke shqyrtuar sanksione shtesë kundër individëve rusë, pas akuzave se administrata është vonuar në zbatimin e ligjit për forcimin e kufizimeve të imponuara ndaj Moskës.
“Kemi ndërmarrë hapa që kanë parandaluar tashmë disa shitje ushtarake ruse, si rezultat i legjislacionit”, ka thënë Tillersoni.
“Po shqyrtojmë edhe individë shtesë për sanksione të mundshme”, ka thënë Tillersoni për televizionin “CBS”.
Sanksionet kanë të bëjnë me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.
Kongresi e ka votuar me shumicë dërrmuese Aktin për Kundërshtimin e Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve, i cili i forcon sanksionet ekzistuese dhe kërkon nga administrata amerikane të marrë leje nga Kongresi për heqjen e tyre.
Ligji është nënshkruar me hezitim nga presidenti Donald Trump, i cili ka bërë fushatë për lidhje më të ngrohta me Moskën.