ShBA-ja: Presim që Qeveria e re e Kosovës t’i rifillojë bisedimet me Serbinë
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka thënë se ShBA-ja pret që udhëheqja e re në Kosovë të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.
Shtetet e Bashkuara e urojnë popullin e Kosovës për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare, ka thënë ky zëdhënës për “Zërin e Amerikës”.
“Ne mirëpresim mundësinë që të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.
Përkundër thirrjeve të ShBA-së dhe të Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj takse dhe zhbllokimin e dialogut, autoritetet në Kosovë nuk kanë ndryshuar qëndrim.
Zyrtarët në Serbi, në anën tjetër, kanë marrë qëndrim për mosvazhdimin e dialogut derisa të hiqet taksa.
Kosova ka mbajtur më 6 tetor zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rezultatet preliminare e kanë nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.