ShBA-ja: Priten reshjet më të mëdha të dëborës prej një dekade
06 janar 2025
| 08:23
Një valë dëbore, akulli, erërash dhe temperaturat në rënie krijuan kushte të rrezikshme në disa pjesë qendrore të Shteteve të Bashkuara të dielën, pasi një stuhi dimërore pritet të sjellë mundësinë e “reshjeve më të mëdha të dëborës prej një dekade” në disa zona.
Bora dhe akulli mbuluan rrugët kryesore në pothuajse të gjithë Kansasin, Nebraskën perëndimore dhe pjesë të Indianës, ku Garda Kombëtare e këtij shteti u aktivizua për të ndihmuar udhëtarët e bllokuar në makina.
Pritej të paktën 20 cm dëborë, pasi Shërbimi Kombëtar i Motit qarkulloi paralajmërime për stuhi dimërore për shtetet Kansas dhe Missouri.
Paralajmërimi u shtri edhe në New Jersey për të hënën dhe deri në orët e para të së martës.