ShBA-ja pritet ta rinisë operimin e portit për ndihma në Gazë
Porti i përkohshëm i ushtrisë amerikane në Gazë pritet të rinisë operimin më 20 qershor për të mundësuar dërgimin e ndihmave të nevojshme humanitare për palestinezët, thanë dy zyrtarë amerikanë.
Zyrtarët, të cilët folën për agjencinë Reuters në kushte anonimiteti, thanë se porti është rilidhur me bregun në Gazë të mërkurën, pasi ishte shkëputur përkohësisht të premten e kaluar për shkak të kushteve të këqija në det.
Ndihma për në Gazë nisi të dërgohej përmes portit të përkohshëm të ndërtuar nga SHBA-ja më 17 maj dhe Kombet e Bashkuara thanë se përmes këtij porti janë transportuar 137 kamionë me ndihma apo rreth 900 tonë metrikë.
Por, më pas kushtet e këqija në det dëmtuan portin dhe dëmet u riparuan. Përveç kushteve atmosferike, edhe shqetësimet e sigurisë kanë kufizuar numrin e ditëve kur ky port ka qenë funksional.
Në mars presidenti amerikan, Joe Biden, kishte njoftuar për vendosjen e këtij porti të përkohshëm, me qëllim lehtësimin e dërgesave të ndihmës humanitare, teksa Gaza, ku jetojnë 2.3 milionë banorë po përballet me uri, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po vazhdon.
Ushtria amerikane ka vlerësuar se për operimin e portit do të duhen 200 milionë dollarë në 90 ditët e para dhe në operimin e tij do të përfshihen 1.000 ushtarë. Por, është e paqartë se sa gjatë do të vazhdojë të jetë operacional porti i ushtrisë amerikane.
Më herët gjatë javës, zëdhënësi i Forcave Ajrore amerikane, gjeneralmajor Patrick Ryder, nuk pranoi të tregonte nëse ushtria do të ndalte krejtësisht operimin e portit. Ai tha se deri më tani porti ka mundësuar dërgimin e 3.500 tonë metrikë ndihme në Gazë.
Lufta në Gazë, që nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, ka shkaktuar krizë humanitare. Si pasojë e luftës, në enklavën palestineze janë vrarë më shumë se 37.000 persona. Ndërkaq, në Izrael nga sulmi i Hamasit janë vrarë afër 1.200 persona dhe janë rrëmbyer afër 250 të tjerë./REL