ShBA-ja pritet ta shpallë Vëllazërinë Myslimane organizatë terroriste
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump është duke punuar për të shpallur Vëllazërinë Myslimane si organizatë të huaj terroriste, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Një vendimi tillë do të përballë me sanksione ekonomike si dhe ato të udhëtimit lëvizjen islamiste më të vjetër të Egjiptit, e cila ka më shumë se 1 milion pjesëtarë në Lindje të Mesme.
Një lajm i tillë vjen pas një vizite që ka zhvilluar presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi në Shtëpinë e Bardhë gjatë muajit prill.
Mediet amerikane kanë thënë se Sisi i ka kërkuar presidentit Trump që të marrë një hap të tillë.
Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka konfirmuar se administrata është duke shtyrë përpara idenë e një shpalljeje të tillë, raporton “Rel”.
“Presidenti është konsultuar me ekipin e tij për siguri kombëtare si dhe me liderët në rajon që ndajnë shqetësimin e njëjtë, andaj procesi i shpalljes është në rrugë e sipër”, ka thënë ajo.
Egjipti tashmë përshkruan pjesëtarët e Vëllazërisë Myslimane si terroristë. Sisi ka larguar nga pushteti ish-presidentin, Mohammed Morsi më 2013, ish-liderin e kësaj Lëvizjeje.
Agjencia e lajmeve, Reuters ka thënë se kjo Lëvizje ka deklaruar përmes një shkrese në faqen e saj online se do të mbetet e përkushtuar për punë, pavarësisht vendimit të Shtëpisë së Bardhë.