SHBA-ja pro Tajvanit në OBSH
Mbështetja e ShBA-së për anëtarësimin e Tajvanit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë pritet të tensionojë marrëdhëniet Pekin – Uashington. Prej kohësh zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar rolin e Tajvanit për luftimin e virusit dhe kanë kritikuar Kinën për fshehjen e informacionit. Presidenti Donald Trump tha se Kina do të mbajë përgjegjësi.
Shtetet e Bashkuara shprehën mbështetjen e plotë për pjesëmarrjen e Tajvanit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kjo mbështetje u përcoll gjatë telefonatës së rrallë që ministrat e të dy palëve zhvilluan, një lëvizje që ekspertët parashikojnë se do të tensionojë si marrëdhëniet Pekin – Uashington, ashtu dhe ato ndërmjet ishullit dhe qeverisë komuniste.
Gjatë bisedës 30 minutëshe të hënën midis ministrit tajvanez të Shëndetësisë Chen Shih-chung dhe homologut të tij amerikan Alex Azar u ritheksua mbështetja e plotë për Tajvanin që të marrë pjesë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Tajvani është një prej vendeve me numrin më të ulët të infektimeve nga Covid-19 dhe të viktimave. Për shkak të eksperiencës nga epidemia e SARS-it e vitit 2003, Tajvani ishte ndër të parët që dyshoi për një virus të ngjashëm që transmetohet lehtë nga njeriu tek njeriu. Edhe pse e lajmëroi për këtë OBSh-në që në mes të dhjetorit, kjo nuk u morr parasysh nga organizata për shkak të presionit dhe ndikimit të Kinës, që e konsideron ishullin e vetëqeverisur si provincë të vetën.
Dalja në dritë e këtyre hollësive ngriti akuza të forta për Kinën dhe mënyrën si ajo veproi në fillim për menaxhimin e gjendjes. Pekini po akuzohet vazhdimisht nga ShBA-ja për fshehjen e informacionit. Edhe në konferencën e fundit në Shtëpinë e Bardhë presidenti Donald Trump tha se pandemia mund të ishte frenuar që në burim, ndërsa paralajmëroi se Kina do të mbajë përgjegjësi.
“Ka shumë mënyra se si mund se si mund ta vesh përpara përgjegjësisë (Kinën). Ne jemi duke kryer një hetim serioz dhe siç e dini nuk jemi të kënaqur nga Kina. Nuk jemi të kënaqur sepse e gjithë kjo mund të ishte ndaluar që në burim,” tha Trump.
Pekini u kundërpërgjigj duke thënës e ShBA-ja po injoron faktet.
“E gjitha kjo bëhet për ta zhvendosur vëmendjen dhe përgjegjësinë për masat e pamjaftueshme të parandalimit dhe të kontrollit,” tha në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Geng Shuang.
/Ora News.tv/