ShBA-ja propozon shitjen e sistemeve raketore ‘Patriot’ në Turqi
Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë propozuar shitjen e sistemeve raketore “Patriot” në Turqi, në vlerë të 3.5 miliardë dollarëve.
Kongresi është thënë të jetë njoftuar për këtë propozim që ka për qëllim rritjen e kapaciteteve raketore dhe atyre ajrore të Ankarasë.
Departamenti amerikan ka thënë se kjo marrëveshje “do të kontribuojë në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke përmirësuar sigurinë e një aleati kyç të NATO-s, që lufton kundër terrorizmit”.
Ky propozim ka ardhur pasi Turqia ka njoftuar se do të blejë sisteme raketore S-400 nga Rusia.
Uashingtoni është ankuar pas këtij veprimi, duke thënë se sistemet ruse nuk janë të përshtatshme për armët e përdorura nga aleatët e NATO-s.
I pyetur për propozimin amerikan, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 19 dhjetor se kontrata e Rusisë për të furnizuar Ankaranë me sisteme raketore S-400 do të zbatohet pavarësisht vendimit të Turqisë për sistemet raktore “Patriot”.