ShBA-ja publikon Raportin e Kremlinit
Departamenti amerikan i Thesarit ka publikuar një listë të shumëpritur të rusëve që besohet se kanë lidhje të afërta me presidentin Vladimir Putin dhe që mund të jenë shënjestra të mundshme të sanksioneve të ShBA-së.
I ashtuquajturi Raport i Kremlinit përfshin emrat e 114 figurave politike të Rusisë dhe të 96 oligarkëve, të cilët, sipas autoriteteve amerikane, kanë bërë pasuri ose kanë fituar pushtet nga shoqërimi me Putinin.
Jozyrtarisht, raporti është cilësuar si “Lista e Putinit”.
Ai përfshin 43 ndihmës të Putinit, përfshirë zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, 31 ministra të kabinetit, në mesin e tyre kryeministri Dmitry Medvedev dhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, si dhe zyrtarë të lartë të agjencive ruse të inteligjencës, raporton “Rel”.
Shefat ekzekutivë të shumë kompanive shtetërore, përfshirë gjigantin e energjisë Rosneft dhe bankën Sberbank, janë po ashtu në listë, së bashku me disa nga rusët më të pasur, si manjati Roman Abramovich.
Megjithatë, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka njoftuar Kongresin se, tash për tash, nuk do të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë.
Raporti i Kremlinit është dorëzuar në Kongres më 29 janar, ashtu siç është kërkuar me Aktin e Luftimit të Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve.
Trumpi e ka nënshkruar këtë akt në muajin gusht, pasi i njëjti ka kaluar në të dyja dhomat e Kongresit, si përgjigje e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në ShBA, më 2016.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të hënën se ShBA-ja e shfrytëzon raportin si përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në Rusi, më 18 mars, të cilat pritet t’i fitojë Putini.
“Ne vërtet besojmë se kjo është përpjekje e drejtpërdrejtë dhe e qartë për të ushtruar ndikim në zgjedhje”, u ka thënë Peskovi gazetarëve.
Por, agjencitë e inteligjencës amerikane kanë konstatuar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet në ShBA, në favor të zgjedhjes së Trumpit president përballë rivales demokrate, Hillary Clinton.
Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, dhe së paku tre komitete të Kongresit amerikan janë duke hetuar ndaras përfshirjen ruse në procesin zgjedhor.
Kremlini i ka mohuar akuzat dhe Trumpi vazhdimisht ka thënë se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis ekipit të tij dhe Rusisë.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione kundër 21 personave dhe nëntë kompanive që kanë lidhje me konfliktin e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.
Qysh në vitin 2014, kur Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë dhe kur ka nisur konflikti në lindje të Ukrainës midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar disa njerëz dhe kompani në Rusi, ashtu si dhe liderë separatistë, duke iu ngrirë asetet dhe duke iu ndaluar udhëtimin.