ShBA-ja publikon video të avionit rus duke hedhur karburant mbi dronin e saj
Pentagoni publikoi të enjten pamjet e një avioni rus që hedh karburant mbi një dron mbikëqyrës të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi. Ky veprim dëmtoi një teh të dronit duke prerë helikën e tij.
Videoja e shkurtër tregon një Su-27 rus që i afrohet pjesës së pasme të dronit amerikan MQ-9 dhe fillon të lëshojë karburant, tha Pentagoni, duke shtuar se “hedhja e karburantit dukej se kishte për qëllim të verbonte instrumentet optike të dronit dhe ta dëbonte atë nga zona”.
Fragmenti i videos i publikuar nga Pentagoni nuk tregon ngjarjet para ose pas konfrontimit të dukshëm të hedhjes së karburantit.
Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe shefi i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Mark Milley kanë folur me homologët e tyre rusë për shkatërrimin e dronit amerikan pas përplasjes.
Thirrjet me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit të përgjithshëm rus, gjeneralin Valery Gerasimov të mërkurën, ishin të parat që nga tetori i vitit 2022.
Teksa përpjekjet për përgjim nuk janë të rralla, incidenti në mes të luftës në Ukrainë ka ngritur shqetësime se mund t’i sjellë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë më afër një konflikti të drejtpërdrejtë.
Fakti që udhëheqësit kryesorë të mbrojtjes dhe ushtarakëve të të dy vendeve po flisnin kaq shpejt pas kësaj ndeshjeje mbi Detin e Zi, nënvizoi seriozitetin e tij.
Ministria ruse e Mbrojtjes në njoftimin për telefonatën me Austin dhe Shoigu, tha se ky i fundit akuzoi ShBA-në për provokimin e incidentit, pasi ka injoruar kufizimet e fluturimit që Kremlini kishte vendosur mbi ShBA-të “për shkak të operacioneve të tyre ushtarake në Ukrainë”.
Rusia fajësoi gjithashtu ShBA-në për “intensifikimin e aktiviteteve të inteligjencës kundër interesave të Federatës Ruse” dhe tha se “Moska do t’i përgjigjet njëlloj të gjitha provokimeve”.
MQ-9, i cili ka një hapje krahësh prej 20 metrash, përfshin një stacion kontrolli tokësor dhe pajisje satelitore. Ai është i aftë të mbajë municione, por gjenerali Pat Ryder, një zëdhënës i Pentagonit, nuk tha nëse droni i hedhur në det ishte i armatosur, raporton “Rel”.
Ai tha se incidenti ndodhi në orën 7:03 të mëngjesit mbi ujërat ndërkombëtare dhe shumë larg Ukrainës, pasi avionët rusë kishin fluturuar në afërsi të dronit për 30 deri në 40 minuta.
Shtetet e Bashkuara nuk e kanë rikuperuar dronin e rrëzuar, thanë Forcat Ajrore të SHBA-së në Evropë, por as Rusia nuk e ka bërë një gjë të tillë, tha Ryder.
Zyrtarët rusë të mërkurën thanë se do të përpiqeshin të shpëtonin fragmente të dronit MQ-9 nga Deti i Zi.
Zyrtarët amerikanë kanë lënë të hapur mundësinë e përpjekjes për të rikuperuar një pjesë të dronit të rrëzuar që kushton 32 milionë dollarë, për të cilin ata thanë se u rrëzua në ujërat që ishin 1,200 deri në 1 500 metra të thella.
Zyrtarë të tjerë amerikanë thanë se SHBA nuk ka anije ushtarake në rajon dhe nuk ka gjasa të rikuperojë mbetjet e dronit. Megjithatë, ata shprehën besimin se nuk do të mbetej asgjë me vlerë ushtarake në dron, edhe nëse Rusia arrin të marrë mbetjet e tij.