ShBA-ja, raketa të mbrojtjes ajrore Ukrainës në paketën e ndihmës 150 milionë dollarëshe
Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar se administrata Biden do t’i sigurojë Ukrainës armë dhe municione me vlerë 150 milionë dollarë, përfshirë interceptorët e mbrojtjes ajrore HAWK dhe municione artilerie 155 milimetra.
Siç theksuan zyrtarët, paketa e ndihmës do të zbulohet më 1 korrik.
Ukraina ka kërkuar urgjentisht mbështetje për mbrojtjen ajrore pasi Rusia ka goditur objektet e saj energjetike në javët e fundit nëpërmjet sulmeve ajrore, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se SHBA-ja filloi dërgimin e raketave përgjuese HAWK në Ukrainë në vitin 2022 si një përmirësim i sistemeve të raketave të mbrojtjes ajrore Stinger – një sistem më i vogël, me rreze më të shkurtër veprimi.
Por, paketa e re mbështetëse do të përfshijë municione dhe pajisje të tjera për të mbështetur nevojat e mbrojtjes së Ukrainës.
Ndryshe, SHBA-ja i ka ofruar Ukrainës më shumë se 50 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga viti 2022.