ShBA-ja sanksionon furnizuesit e regjimit të Assadit dhe ISIS-it me naftë
Departamenti amerikan i Thesarit, ka vënë sanksione kundër katër individëve dhe pesë kompanive për, siç tha, përfshirje në ofrimin e naftës dhe fondeve për Qeverinë siriane.
Departamenti ka thënë përmes një deklarate se sanksionet godasin Muhammad al-Qatirji dhe kompaninë e tij të kamionëve cisternë, e cila, siç thuhet, ka lehtësuar tregtinë e karburantit midis Qeverisë siriane dhe militantëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).
Qatirji ka marrëdhënie të ngushta me Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe ka punuar drejtpërdrejt me IS-in për t’iu siguruar prodhime të naftës, ka thënë Thesari.
Sanksionet kanë shënjestruar edhe një rrjet furnizimi me karburant që vepron në Siri, Liban dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shënjestrojnë ata që kryejnë transaksione me regjimin vrasës të Assadit dhe mbështesin IS-in”, ka deklaruar Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.
Sipas Thesarit, kompania me seli në Siri, Qatirji ka dërguar armë nga Siria në Irak.
Sanksionet amerikane përcaktojnë se secila pronë e personave të prekur në Shtetet e Bashkuara do të ngrihet dhe amerikanëve u ndalohet të bëjnë biznes me po të njëjtit.