ShBA-ja sanksionon rrjete të lidhura me Iranin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë vendosur sanksione në dy rrjete që kanë thënë se janë të lidhura me “aktivitete të fshehta të prokurimit”, përmes së cilave përfitojnë organizatat ushtarake të Iranit dhe mbështesin “programet raketore” të Teheranit, ka thënë Departamenti amerikan i Thesarit.
Një nga rrjetet ka shfrytëzuar një kompani me bazë në Hong Kong për “t’iu ikur sanksioneve ndërkombëtare dhe ka ndërmjetësuar në aktivitete në vlerë të miliona dollarëve” të cilat kanë shënjestruar teknologjinë amerikane për persona të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike”, ka thënë Departamenti amerikan përmes një deklarate.
Në deklaratë është thënë se ky rrjet ka blerë sasi të mëdha të aluminit në emër të subjekteve iraniane “të kontrolluara” nga ministria iraniane e Mbrojtjes.
“Teksa regjimi iranian synon që përmes skemave komplekse të fshehë përpjekjet për fuqizim të programit të armëve për shkatërrim masiv, Qeveria amerikane do të vazhdojë të pengojë ato secilën herë”, ka thënë nën-Sekretarja e Thesarit amerikan për terrorizëm dhe inteligjencë financiare, Sigal Mandelker.
Mandelker u ka bërë thirrje qeverive në gjithë botën “që të analizojnë se deri ku mund të shkojë Irani për të fshehur qasjen e tij dhe të sigurojnë se kompanitë dhe institucionet financiare nuk janë duke të përfshira në aktivitetet e Iranit”.
Këto sanksione vijnë në kuadër të fushatës amerikane për “presion maksimal” ndaj Iranit, përmes së cilës ShBA-ja synon të bindë Teheranin që të ulet në tavolinën e negociatave sa i përket programit raketor.
Uashingtoni është tërhequr vitin e kaluar nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015, si dhe ka rikthyer të gjitha sanksionet në ekonominë iraniane.
Pesë shtete tjera nënshkruese të këtij dokumenti kanë treguar vullnet për ruajtje të marrëveshjes, përmes së cilës Teherani pajtohet për të kufizuar aktivitetet bërthamore në këmbim të lirimit nga sanksionet.
Megjithatë Irani ka nisur të fundmi që të mos zbatojë plotësisht këtë marrëveshje.
Teksa ka bërë publik lajmin për largim të ShBA-së, presidenti amerikan, Donald Trump pati thënë se kjo marrëveshje nuk ka qenë mjaftueshëm e ashpër për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.
Teherani në anën tjetër deklaron se programi bërthamor ka vetëm qëllime të mbrojtjes. /Rel/