ShBA-ja s’e fton Besiana Kadarenë në darkën për Jerusalemin
Të mërkurën në mbrëmje në Nju Jork ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, ashtu siç kishte premtuar, organizoi një pritje, “Falënderim për miqësi”, për 64 vendet që nuk iu bashkuan rezolutës kundër vendimit të presidentit Trump, për ta njohur Jerusalemin kryeqytet.
Në këtë ngjarje të rëndësishme shqiptarët për herë të parë si komb ishin seleksionuar dhe veçuar si pasojë e votës së qeverisë Rama që doli kundër aleatit të madh. Në mbrëmje ishte e ftuar konsullja e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatçia, por jo ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare.
Kjo është përgjigjja e hapur e palës amerikane në lidhje me shtetet të cilat votuan kundër. Bile edhe abstenimin Uashingtoni zyrtar e quan pro tyre, por as edhe abstenim nuk denjoi të votojë Qeveria e Shqipërisë.
Kjo ka ndodhur vetëm në kohën e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës. I çuditshëm mbetet fakti se ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, nuk foli ashpër ndaj Shqipërisë si një prej vendeve të cilat votuan kundër ShBA-së. Ndërsa presidenti Trump dënoi vendet që votuan kundër Uashingtonit.
Të pranishmit (përfaqësues të 64 vendeve që votuan kundër, abstenuan, apo nuk morën fare pjesë në votim) i përshëndeti nëpërmjet një video-mesazhi falënderues edhe presidenti Donald Trump. “Midis izraelitëve dhe palestinezëve nuk ka asnjë arsye, pse paqja nuk duhet të vazhdojë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerë si ju, për një të ardhme me paqe dhe perspektivë për rajonin, për njerëzit, për gjithë botën. Faleminderit, Zoti ju bekoftë dhe kalofshi një vit të ri sa më të mirë!”, tha presidenti Trump.
Ndërkohë shefja e misionit të Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, ka marrë pjesë mbrëmjen e së mërkurës në pritjen e organizuar nga ambasadorja e ShBA-së në OKB, Nikki Haley, organizuar për t’i falënderuar 64 shtetet që nuk iu bashkuan rezolutës kundër ShBA-së për Jerusalemin.
“Sonte isha e ftuar nga ambasadorja e ShBA-së pranë OKB-së, Znj. Nikki Haley, në pritjen e organizuar për ‘Falënderim për miqësi’. Ajo tha se votimi i rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme ishte votim për ta lënë të vetmuar ShBA-në dhe për ta nënçmuar atë. Ky votim nuk ka prodhuar asnjë rezultat legal sepse askush nuk do t’i tregojë ShBA-së se ku do t’i vendosë ajo ambasadat e saj nëpër botë”, e ka përshkuar Sahatqia këtë pritje në rrjetet sociale dhe reagimin e ambasadores Hale.
Ambasadorja Haley falënderoi 64 shtete duke lexuar veç e veç emrin e secilit shtet i cili votoi kundër Rezolutës, abstenoi apo fare nuk mori pjesë në votim.
Ambasadorja falënderoi edhe Kosovën për mesazhet dhe për miqësinë e përhershme dhe të fuqishme me ShBA-në, duke ritheksuar se do të punojnë fuqishëm që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.
Ajo tha se “ShBA-ja dhe ajo personalisht kurrë nuk do t’i harrojnë miqtë të cilët e përkrahën në këtë rast. Përmes video linkut presidenti Trump falënderoi shtetet e pranishme për miqësi me ShBA-në”.