ShBA-ja sërish e përqendruar në Ballkanin Perëndimor
Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, ka thënë se me emërimin e tij në këtë pozitë, tregon se Amerika është sërish e përqendruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Palmeri këto komente i ka bërë të hënën në Podgoricë, në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Markoviqit, Palmer ka thënë se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm multietnik në rajon dhe se “nuk është rastësi që Mali i Zi është shteti i parë që viziton pas marrjes së detyrës”.
Palmeri është emëruar përfaqësues për Ballkanin nga Departamenti amerikan i Shtetit më 30 gusht.
Duke e uruar për këtë post, Markoviqi ka thënë se vendimi për emërimin e Palmerit paraqet mundësi reale për përshpejtimin e realizimit të qëllimeve strategjike dhe se kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit, transmeton “Rel”.
Markoviqi e ka cilësuar Palmerin si “njohës të shkëlqyeshëm të Ballkanit”.
Duke folur për Malin e Zi, Markoviqi ka thënë se “suksesin e politikës ekonomike të Qeverisë”, e cila, sipas tij, jep “rezultate të shkëlqyeshme në zhvillim”.
Palmeri gjatë vizitës në Podgoricë ka biseduar edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.