SHBA-ja sërish kërcënon me tërheqjen e trupave nga Gjermania
Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, ka folur për investimin e ulët të Berlinit në mbrojtje, duke thënë se kjo është “fyese”, si dhe përsëriti kërcënimin e tërheqjes së trupave amerikane nga ky vend.
“Aktualisht është në të vërtetë fyese që taksapaguesit amerikanë akoma duhet të paguajnë më shumë se 50,000 amerikanë në Gjermani”, ka deklaruar Grenell për agjencinë “DPA”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë më herët, se trupat amerikane mund të zhvendoseshin nga Gjermania në Poloni.
“Polonia po përmbush angazhimin e saj ndaj NATO-s për të investuar dy për qind të bruto-prodhimit të brendshëm në mbrojtje. Gjermania nuk po e bën këtë. Ne do të mirëprisnim ardhjen e forcave amerikane nga Gjermania në Poloni”, ka shkruar në “Twitter”, ambasadorja amerikane në Poloni, Georgette Mosbacher.
Megjithatë rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve për mbrojtje, Gjermania është ende nën nivelin e vendosur nga NATO-ja.
Në Gjermani janë 35.000 trupa amerikane, si dhe 17.000 amerikanë dhe 12.000 civilë gjermanë të punësuar nga Ushtria e SHBA-së.
Dhjetëra mijëra vende pune në Gjermani varen nga ushtria amerikane.
Uashingtoni është zemëruar me refuzimin e Berlinit për të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar ushtarak, në Ngushticën e Hormuzit.
SHBA-ja synon që përmes këtij misioni, të mbrojë transportuesit e naftës që kalojnë në këtë rajon nga “agresioni iranian”./rel/