ShBA-ja shkurton kohën e izolimit për të infektuarit pa simptoma
Shtetet e Bashkuara kanë përgjysmuar kohën e izolimit për personat që janë të infektuar me koronavirus, por pa simptome – nga dhjetë ditë në pesë.
Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) kanë thënë më 27 dhjetor se izolimi pesëditor duhet të përcillet me pesë ditë tjera të vendosjes së maskës kur personi i infektuar është afër personave tjerë.
Ndonëse rekomandimet e reja nuk janë të detyrueshme, ato respektohen nga bizneset amerikane dhe politikbërësit.
Ndryshimet e reja vijnë pas valës së re të shkaktuar nga varianti Omicron, i cili ka ndikuar në shumë mungesa të stafit të kompanive dhe pengesa në udhëtime. Rekomandimet e reja u mundësojnë njerëzve të kthehen më shpejt në punë.
“Varianti Omicron është duke u përhapur me shpejtësi dhe ka kapacitet për të prekur të gjitha aspektet e shoqërisë sonë”, ka thënë drejtorja e Qendrave amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky.
“Këto përditësime u mundësojnë njerëzve që t’i kthehen përditshmërisë”.
Këto Qendra kanë thënë se ndryshimi është motivuar “nga shkenca”, pasi të dhënat kanë treguar se shumica e personave infektohen 1-2 ditë para simptomave të para dhe mund ta bartin virusin edhe 2-3 ditë tjera më pas.
Rekomandimet janë ndryshuar edhe për personat që i ekspozohen virusit, por janë të pavaksinuar apo nuk kanë marrë dozën përforcuese.
Për të pavaksinuarit, CDC ka rekomanduar masën e karantinës për pesë ditë, të përcjellë nga pesë ditë tjera të vendosjes së maskës kur ai person është në ambient me persona tjerë.
Personat që kanë marrë dozën përforcuese nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen karantinës, edhe nëse kanë qenë në kontakt me një person të infektuar, por duhet ta mbajnë maskën për 10 ditë./rel/