ShBA-ja shpenzoi miliona dollarë për të luftuar ndikimin rus, Kosovës ia ndau mbi 61 milionë
Inspektorati i Departamentit Amerikan të Shtetit (CRIF) ka publikuar një raport mbi “Luftimin e Fondit të Ndikimit Rus”, ku ka zbuluar se ka shpenzuar miliona dollarë për financimin e “organizatave të shoqërisë civile dhe subjekteve të tjera për sundimin e ligjit, mediat, organizatat kibernetike dhe programe të tjera që forcojnë institucionet dhe proceset demokratike dhe kundërshtojnë ndikimin dhe agresionin rus”.
Sipas raportit të bërë publik të enjten, del se shuma më e madhe e investuar, gjithsej 621 milionë e 555 mijë e 857 dollarë, ka shkuar në vendet e Evropës Qendrore, Lindore, të Ballkanit dhe V4, nga viti 2017 deri në vitin 2022.
Në këtë listë hyn edhe Kosova, për të cilën në këtë periudhë janë ndarë mbi 61 milionë dollarë (61 milionë e 157 mijë e 70 dollarë).
Moldavia ka përfituar shumën më të madhe si e vetme, gjithsej 98 milionë e 172 mijë e 456 dollarë, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 80 milionë e 846 mijë e 580 dollarë, Maqedonia e Veriut 67 milionë e 472 mijë e 572 dollarë dhe më pas Rumania 66 milionë e 146 mijë e 297 dollarë. Serbia ka përfituar 55 milionë e 567 mijë dollarë, Mali i Zi, 50 milionë e 505 mijë dollarë dhe Shqipëria 39 milionjë e 20 mijë e 431 dollarë.
Qëllimi i CRIF është të ofrojë ndihmë të huaj për vendet e cenueshme ndaj ndikimit dhe agresion nga Federata Ruse që nuk kanë aftësitë ekonomike për t’i bërë ballë në mënyrë efektive.
Ndihma e CRIF ofrohet për Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe vendet që kërkojnë anëtarësim në ato organizata, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Gjeorgjinë, Kosovën, Maqedoninë, Moldavinë, Serbinë dhe Ukrainën.
Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU