ShBA-ja shtoi shumë më shumë vende pune se që pritej në maj
Shtimi i vendeve të punës në Shtete të Bashkuara u përshpejtua shumë më shumë se që pritej muajin e kaluar, duke e mbajtur Rezervën Federale në binarë për t’u përmbajtur nga ulja e shkallëve të interesit të paktën deri në shtator.
Në raportin e së premtes nga Departamenti i Punës, megjithatë, tregohet se papunësia u rrit në 4 për qind, nga 3,9 për qind sa ishte në prill, duke kapërcyer një prag simbolik nën të cilin kishte qëndruar shkalla e papunësisë për 27 muaj rresht më parë, raporton agjencia “Reuters”.
Lista e pagave pa e llogaritur sektorin që ndërlidhet me ferma u zgjerua për 272 mijë vende pune muajin e kaluar, tha Byroja e Statistikave të Punës e Departamentit të Punës. Sipas rishikimit, 15 mijë vende më pak ishin hapur në mars dhe prill në krahasim me raportimet paraprake.
Ekonomistët e anketuar nga agjencia “Reuters” e kishin parashikuar shtimin e vetëm 185 mijë vendeve të punës. Vlerësimet lëviznin nga 120 mijë deri në 258 mijë vende të reja të punës. Të gjitha parashikimet u tejkaluan.
Sidoqoftë, prodhimi i përgjithshëm ekonomik në çerekun e parë të vitit u rrit me ritmin më të ngadalshëm në gati dy vjet.
Të dhënat më herët këtë javë treguan se hapja e vendeve të reja të punës ishte dobësuar në prill dhe numri i vendeve të lira të punës për punëkërkues ra në nivelin më të ulët që nga qershori i vitit 2021.