ShBA-ja siguron aleatët se do të vazhdojë luftën kundër ISIS-it
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u ka thënë aleatëve se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Siria nuk është “fundi i luftës së SHBA-së” kundër grupit ekstremist Shteti Islamik (ISIS).
Sekretari Pompeo ka thënë se grupi militant vazhdon të paraqesë kërcënim të rrezikshëm.
“Luftën do ta vazhdojmë përkrah jush” u ka thënë Pompeo zyrtarëve nga 79 vende të botës që janë pjesë e koalicionit në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik.
Në takimin e mbajtur të mërkurën në Uashington, sekretari Pompeo, ka siguruar aleatët se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të udhëheqin” luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik por gjithashtu iu bëri thirrje aleatëve të angazhohen për mundjen përfundimtare të grupit militant.
Sekretari amerikan i Shtetit ka thënë se tërheqja e trupave amerikane nga Siria është në thelb “ndryshim taktik” dhe jo “ndryshim i misionit”.