SHBA-ja: Sulmi në Kabul është sulm kundër njerëzimit
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në mesazhin e tij të urimit, për 100 vjetorin e pavarësisë së Afganistanit, dënoi sulmin e 17 gushtit me bombë në një ceremoni martese në Kabul. “Mjerisht, historia 100-vjeçare e Afganistanit është shoqëruar gjithashtu nga konflikti.
Sulmi terrorist gjatë një ceremonie martese në Kabul, këtë fundjavë, është një sulm kundër njerëzimit”, tha mesazhi i Pompeos në prag të ditës së pavarësisë së Afganistanit.
Pompeo tha se afganët kanë shumë arsye të jenë krenarë në kohën kur festojnë një ripërtrirje shekullore dhe diversitet kulturor.
Ai përmendi përmirësimet që vendi ka parë gjatë njëzet viteve të fundit në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, të drejtat e grave, mundësi ekonomike dhe liri të mediave.
Gjashtëdhjetë e tre njerëz u vranë, dhe 182 të tjerë u plagosën, në sulmin vetëvrasës për të cilin grupi ekstremist militant Shteti Islamik (IS) mori përgjegjësinë.