ShBA-ja: Të shqetësuar për veprimet e Dodikut, do të reagojmë ndaj kërcënimeve me sanksione shtesë
Këshilltari i presidentit amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, ka konfirmuar të hënën se Shtëpia e Bardhë është e shqetësuar për kërcënimet e vazhdueshme secesioniste të liderit serb të Republika Srpskas, Milorad Dodik dhe njoftoi se qeveria amerikane do t’i përgjigjet kërcënimeve të tilla.
Sullivan ka reaguar në platformën “X” pasi Dodiku ka konfirmuar javën e kaluar se autoritetet e Republika Srpska kishin hartuar një propozim për një marrëveshje për “shkëputjen paqësore” të BeH, të cilën ata synojnë t’ia dërgojnë Federatës së BiH për koment.
“ShBA-të janë të shqetësuara nga kërcënimet e shtuara ndaj integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës nga presidenti i Republika Srpska, Dodik. Ne do të vazhdojmë t’u përgjigjemi veprimeve dhe sulmeve separatiste ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, duke përfshirë përdorimin e sanksioneve shtesë”, ka shkruar Sullivan.