ShBA-ja thotë se ka kryer një sulm ndaj Al-Kaidës në Siri
Ushtria amerikane ka bërë me dije se ka kryer një sulm ndaj liderëve të Al-Kaidës në një ndërtesë në veri të Idlibit në veriperëndim të Sirisë pas raportimeve se rreth 40 ekstremistë janë vrarë gjatë këtij sulmi.
“Ky operacion ka pasur për cak liderët e Al-Kaidës në Siri, përgjegjës për sulmet dhe kërcënimet ndaj qytetarëve amerikanë, partnerëve tanë dhe civilëve të pafajshëm”, ka thënë Komanda Qendrore e ShBA-së
Komanda po ashtu ka thënë se “me sulmin ndaj kësaj ndërtese, do të degradohet edhe më tej aftësia e tyre (Al-Kaidës) për të kryer sulme të ardhshme dhe destabilizimit të rajonit”.
Në deklaratë, ku nuk është specifikuar se me çfarë armësh është kryer sulmi, është thënë se veriperëndimi i Sirisë “vazhdon të jetë një strehë e sigurt” për liderët e Al-Kaidës, kur ku ata planifikojnë dhe koordinojnë “aktivitete terroriste” në mbarë rajonin dhe në Perëndim.
“Me aleatët dhe partnerët tanë, ne do të vazhdojmë të targetojmë ekstremistët e dhunshëm, me qëllim që të parandalojmë që ata ta përdorin Sirinë si strehë të sigurt”, është thënë në deklaratën e Komandës amerikane.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë me bazë në Londër, ka thënë se të paktën 40 ekstremistë, përfshirë liderë, janë vrarë gjatë sulmeve me raketa, që kanë pasur për cak një ndërtesë ku po takohej një grup i pjesëtarëve të Al-Kaidës në Idlib.
Idlibi, që gjendet pranë kufirit me Turqinë, kryesisht kontrollohet nga Hayat Tahrir al-Sham, ish-bashkëpunëtor të Al-Kaidës në Siri