ShBA-ja, Turqisë: Tërhiquni nga Siria ose ju presin sanksionet
Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar presionin ndaj Turqisë për t’i tërhequr trupat nga veriu i Sirisë në kohën kur ofensiva në këtë rajon po shkon duke u përshkallëzuar.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, e paralajmëroi Turqinë për pasoja serioze, ndërsa sekretari i thesarit, Steven Mnuchin, nuk e përjashtoi mundësinë e sanksioneve ndaj këtij vendi.
Vendimi i presidentit Trump për tërheqjen e forcave amerikane nga zona kufitare mes Turqisë dhe Sirisë bëri që forcat turke të hyjnë në Siri. Ai ka thënë se dëshiron të arrihet një armëpushim mes Turqisë dhe forcave kurde. Megjithatë, presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka thënë se operacioni ushtarak do të vazhdojë. Liderët kurdë i kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara se ua kanë ngulur thikën pas shpine.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 100 mijë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i ofensivës turke të mërkurën. Presidenti turk ka thënë se dëshiron të krijojë një zonë sigurie në veri të Sirisë, në të cilën më pas mund të vendosen refugjatët sirianë që tash për tash jetojnë në Turqi, shkruan “BBC”.