SHBA-ja u bën thirrje serbëve të tërhequr që t’u kthehen institucioneve të Kosovës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës ka deklaruar se pajtohen me qëndrimin e Bashkimit Evropian për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Në përgjigje për Klan Kosovën, një zyrtar i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
“Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet, për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorikat që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetën e të pafajshmëve dhe të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”.
“Prandaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre nga procesi i dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, thuhet në përgjigje.