ShBA-ja u gdhi me 3 000 viktima nga koronavirusi
Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka shkuar mbi 3 000 persona në bazë të të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”.
Përpos të vdekurve, të dhënat e këtij universiteti tregojnë se në Shtetet e Bashkuara tashmë janë infektuar mbi 163 000 persona, duke bërë që ky shtet të jetë i pari në botë sa i përket shifrës më të lartë të të prekurve.
Mjekja që është duke e udhëhequr luftën e qeverisë amerikane me virusin, Deborah Birx, tha se në Shtetet e Bashkuara mund të shënohen 100 deri në 200 mijë viktima nga koronavirusi, nëse masat e shtetit zbatohen në mënyrë pothuajse të përkryer.
Autoritetet në Virginia, Maryland dhe Distriktin e Kolumbisë i urdhëruan banorët e tyre të qëndrojnë në shtëpi si përpjekje për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të pandemisë.
Presidenti Donald Trump më parë njoftoi se masat për kufizimin e lirisë së lëvizjes do të vlejnë edhe përtej Pashkëve, ndonëse më parë kishte paralajmëruar se do ta kthente gjendjen normale në vend për shkak të ekonomisë.