SHBA-ja ua kufizon lëvizjen pa viza hungarezëve
Shtetet e Bashkuara të martën vendosën masa të reja kufizuese për udhëtime ndaj shtetasve të Hungarisë për shkak të shqetësimit se identiteti i gati një milion shtetasve të huaj, që u janë dhënë pasaporta hungareze, nuk është vërtetuar mjaftueshëm, sipas ambasadës amerikane dhe një zyrtari qeveritar.
Këto masa kufizuese vlejnë për Programin e Heqjes së Vizave në ShBA, që u lejon shtetasve nga 40 shtete që të hyjnë në Shtete të Bashkuara për tregti ose turizëm pa vizë për deri 90 ditë, raporton agjencia “Associated Press”.
Periudha e vlefshmërisë për udhëtim për ata që kanë pasaporta hungareze sipas Sistemit Elektronik për Autorizim të Udhëtimit është zvogëluar nga dy vjet në një vit dhe secili udhëtar do të mund të hyjë vetëm një herë në ShBA.
Një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane tha se ky ndryshim erdhi pas disa viteve përpjekje të dështuara nga ShBA-ja për të punuar me qeverinë hungareze për zgjidhjen e shqetësimit për sigurinë.
Qindra mijëra pasaporta hungareze janë lëshuar pa standardet e rrepta të vërtetimit të identitetit, disa prej tyre kriminelëve që paraqesin kërcënim për sigurinë dhe që nuk kanë lidhje me Hungarinë, tha zyrtari amerikan në kushte anonimiteti.
Qeveria hungareze, nën udhëheqjen e kryeministrit Viktor Orban, më 2011 kishte nisur që të ofronte një procedurë të thjeshtësuar për natyralizim për personat që pretendonin se kanë prejardhje hungareze, edhe nëse ata nuk jetojnë ose nuk synojnë që të jetojnë në Hungari.
Qindra mijëra nga të paktën dy milionë hungarezë që jetojnë në vendet fqinje – kryesisht në Rumani, Serbi e Ukrainë – e kanë marrë shtetësinë hungareze përmes procedurës së thjeshtësuar.
Kritikët kanë thënë se ky program u ka mundësuar hungarezëve etnikë, që nuk paguajnë taksa në Hungari e që jetojnë në shtete të tjera, që të votojnë në zgjedhje hungareze, duke i dhënë përparësi partisë së kryeministrit Orban.
Qeveria hungareze reagoi të martën për kufizimet e reja nga ShBA-ja, duke thënë se Shtetet e Bashkuara i kishin kërkuar të dhënat e hungarezëve etnikë jashtë vendit me shtetësi të dyfishtë dhe se qeveria hungareze nuk ishte e gatshme që t’i ofronte ato informata për ta mbrojtur sigurinë e atyre qytetarëve.
“Për këtë arsye, administrata e presidentit Joe Biden tani po hakmerret ndaj hungarezëve”- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Hungarisë.