ShBA-ja uron Pendarovskin për fitoren në zgjedhje
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë uruar Stevo Pendarovskin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
“SHBA-ja është një partner i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut dhe shpresojmë për bashkëpunim me Stevo Pendarovskin dhe me të gjitha partitë politike, në rrugën e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtarja e 30-të e NATO-s dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, është thënë në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit, të cilën e transmeton shërbimi maqedonas i “Radios Evropa e Lirë”.
Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut u mbajt të dielën.
Pendarovski, kandidat i partive në pushtet, e mundi kandidaten e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova, me një epërsi prej rreth 6 për qind të votave.
Atë e kanë uruar për fitoren edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.