ShBA-ja vazhdon ta ndërtojë murin në kufi me Meksikën

22 mars 2020 | 09:35

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump e ka shtuar ritmin e ndërtimit të murit miliardësh në kufi me Meksikën, pavarësisht prej përhapjes së koronavirusit, nga i cili mund të vdesin mijëra amerikanë dhe që vendin mund ta fusë në recesion ekonomik.

Gjatë kësaj jave Agjencia për Dogana dhe Mbrojtje të Kufirit i bëri të ditura planet për ndërtimin e 240 kilometrave të murit të lartë nëntë metra përgjatë shteteve Arizona, Kaliforni dhe New Mexico.

Ky njoftim erdhi pak kohë pas shpalljes së gjendjes emergjente nga presidenti Trump. Ai po kritikohet për menaxhimin e situatës së koronavirusit, që duket se do t’i kushtojë shtetit miliarda dollarë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Gati 20 mijë persona janë infektuar dhe mbi 260 kanë vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara. Dhjetëra mijëra punëtorë të shkarkuar kanë aplikuar për përfitime të papunësisë për shkak të mbylljes së bizneseve.

Të premten puna për ndërtimin e murit vazhdoi në ultësirën San Bernardino në pjesën juglindore të shtetit Arizona. Besohet se disa lloje të rrezikuara të gjallesave mund të preken nga ky projekt i qeverisë amerikane.

Ndërtimi i murit në kufi me Meksikën ka qenë në mesin e premtimeve kryesore të presidentit Trump gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, ndonëse është kundërshtuar vazhdimisht nga Partia Demokratike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kërkesa e qeverisë iraniane bërë qytetarëve në këto ditë pandemie…