SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Iranit
Presidenti Donald Trump ka firmosur sanksionet e reja e më të ashpra financiare ndaj Iranit, objektivi i të cilave është në veçanti udhëheqësi suprem i vendit, Ayatollahu Ali Khamenei.
Trumpi ka sqaruar se urdhri ekzekutiv do të frenojë qasjen që Khamenei dhe Irani tek tregjet financiare botërore.
Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, ka theksuar se sanksionet e reja do të bllokonin pasuri të Iranit me vlerën e dhjetëra miliarda dollarëve.
Sipas presidentit amerikan, urdhri i tij është një përgjigje “e fortë dhe proporcionale” e Shteteve të Bashkuara ndaj goditjes nga Teherani javën e kaluar të një avioni amerikan pa pilot, për të cilin Uashingtoni thotë se ndodhi në hapësirën ajrore ndërkombëtare pranë ngushticës së Hormuzit.
Irani pretendon se incidenti ndodhi mbi hapësirën e tij ajrore. Sanksionet e reja vijnë ndërsa po shtohen shqetësimet rreth mundësisë së një konfrontimi të armatosur mes të dy vendeve, pasi zyrtarët amerikanë kohët e fundit fajësuan Teheranin për sulmet ndaj dy cisternave me naftë në ngushticën e Hormuzit.
Irani i mohon edhe këto akuza. megjithëse po vendos sanksione, Trumpi u shpreh se mezi pret që të vijë koha kur ato të hiqen.