ShBA-ja vendos të rikthehet në UNESCO pas 10 vjetësh
Agjencia kulturore dhe shkencore e OKB-së, UNESCO, njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të rikthehen në këtë agjenci dhe të paguajnë më shumë se 600 milionë dollarë detyrime të prapambetura – pas një mosmarrëveshjeje dhjetëvjeçare të shkaktuar nga masa e organizatës për të përfshirë Palestinën si anëtare.
Zyrtarët amerikanë thanë se vendimi për t’u kthyer ishte i motivuar nga shqetësimi se Kina po plotëson boshllëkun e lënë nga ShBA në politikëbërjen e UNESCO-s, veçanërisht në vendosjen e standardeve për inteligjencën artificiale dhe edukimin teknologjik në mbarë botën, raporton REL.
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, i dërgoi një letër javën e kaluar Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Audrey Azoulay, duke zyrtarizuar planin për t’u ribashkuar.
Duartrokitjet shpërthyen në auditorin solemn të UNESCO-s teksa Azoulay u njoftoi planin ambasadorëve në një takim të posaçëm të hënën, dhe delegat u ngritën për të mirëpritur lajmin.
Kthimi i ShBA-së, dikur financuesi më i madh i agjencisë, pritet të përballet me një votim nga 193 shtetet e saj anëtare muajin e ardhshëm, sipas një diplomati të UNESCO-s.
Vendimi është një nxitje e madhe financiare për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, e njohur për programin e saj të Trashëgimisë Botërore, si dhe për projektet për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për t’i mësuar vajzat shkrim-lexim.
ShBA dhe Izraeli ndaluan financimin e UNESCO-s pasi ajo votoi për përfshirjen e Palestinës si shtet anëtar në 2011, dhe të dy vendet humbën të drejtat e tyre të votës në 2013.
Administrata Trump vendosi në vitin 2017 të tërhiqej krejtësisht nga agjencia.
Në letrën e tij javën e kaluar, Verma vuri në dukje përpjekjet e UNESCO-s drejt reformës së menaxhimit dhe “uljes së debatit të politizuar, veçanërisht për çështjet e Lindjes së Mesme”.
Që nga zgjedhja e saj në 2017, Azoulay ka punuar për të adresuar arsyet e largimit të ShBA-së, përmes reformave buxhetore dhe ndërtimit të konsensusit midis diplomatëve jordanezë, palestinezë dhe izraelitë rreth rezolutave të ndjeshme të UNESCO-s.
Vendimi i ShBA-së për t’u rikthyer “është rezultat i pesë viteve të punës, gjatë së cilës ne qetësuam tensionet, veçanërisht në Lindjen e Mesme, përmirësuam përgjigjen tonë ndaj sfidave bashkëkohore, rifilluam nismat kryesore në terren dhe modernizuam funksionimin e organizatës”, tha Azoulay për Associated Press.
Sipas planit, qeveria amerikane do të paguajë detyrimet e saj për vitin 2023 plus 10 milionë dollarë kontribute bonus këtë vit të destinuara për edukimin e Holokaustit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Ukrainë, sigurinë e gazetarëve dhe edukimin shkencor dhe teknologjik në Afrikë, thuhet në letrën e shkruar nga Richard Verma.
Administrata Biden ka kërkuar tashmë 150 milionë dollarë për buxhetin e vitit 2024 për të paguar detyrimet e prapambetura të UNESCO-s.
Plani parashikon kërkesa të ngjashme për vitet në vijim derisa të shlyhet borxhi i plotë prej 619 milionë dollarësh.
Kjo përbën një pjesë të madhe të buxhetit operativ vjetor prej 534 milionë dollarësh të UNESCO-s.
Përpara largimit, ShBA-ja kontribuoi me 22% të financimit të përgjithshëm të agjencisë.
Shtetet e Bashkuara u tërhoqën edhe më parë nga UNESCO nën administrimin e presidentit Regan në vitin 1984 sepse e shihnin agjencinë si të keqmenaxhuar, të korruptuar dhe të përdorur për të çuar përpara interesat sovjetike.
ShBA iu ribashkua organizatës në vitin 2003.