ShBA kërkon rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi
Përfaqësuesi i ShBA-së në Këshillin e Sigurimit, Richard Mills, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të rifillojnë dialogun në Bruksel për përmbylljen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke.
Po ashtu përfaqësuesi i ShBA kërkoi nga dy shtetet që të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani.
“ShBA mbështesin fuqimisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, tanimë me qeverinë e re të Kosovës, ne mirëpresim planet e përfaqësuesit special të BE-së që të rifillojë dialogu në të ardhmen e afërt. Është arritur progres nga palët edhe pse mund të mos shihet aty në raportet e këtij mëngjesi, por këto kanë kontribuar në përmirësim e jetës të qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi. Ngjashëm zotimet e dhëna nga Kosova dhe Serbia në ShBA në shtator të vitit 2020 kanë përforcuar themelin e bashkëpunimit ekonomik, zhvillimit dhe normalizimit. Ne besojmë që ka shumë bazë të mirë dhe ka shumë pak kohë për të humbur. Kështu që ShBA inkurajojnë të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet e kaluara dhe t’i qasen rifillimit të dialogut në mënyrë pragmatike dhe produktive, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit”, ka thënë përfaqësuesi i ShBA-së.