ShBA: Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje dhe në fund të synojnë njohjen reciproke

24 shkurt 2023 | 10:23

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se mbështesin propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe u bënë thirrje liderëve të të dyja vendeve që të jenë konstruktivë.

“Ne presim që të dy udhëheqësit t’i qasen takimit me frymë konstruktive të nevojshme për të ecur përpara”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për “Zërin e Amerikës” më 24 shkurt.
Sipas njoftimeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, më 27 shkurt.

Para tyre është vendosur një plan i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja, i njohur si propozimi franko-gjerman për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Departamenti i Shtetit i tha “Zërit të Amerikës” se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të përdorin bisedimet për të shprehur angazhimin e tyre për një të ardhme paqësore për gjithë rajonin.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Departamentit të Shtetit.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë e prezantuan planin para autoriteteve në të dy vendet në shtator të vitit 2022.

Në atë dokument, i cili u mbështet publikisht nga ShBA-ja, Gjermania dhe Franca, nuk përmendet qartë njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve e Bashkuara.

Ndërkohë, propozimi i BE-së është pranuar në parim nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka…