
SHBA: Mbështesim prej kohësh Kosovën për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë
Të pyetur rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Kenia dhe për veprimet kundërshtuese të Serbisë, ka thënë se Uashingtoni zyrtar prej kohësh e ka përkrahur rrugën e Republikës së Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë.
Deri më 26 mars 2025, Izraeli kishte qenë vendi i fundit që kishte njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës në një hark kohor prej pesë vitesh. Një prej njohjeve më të rëndësishme për Kosovën që mbante vulën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e që doli si rezultat i Marrëveshjes së Washingonit të arritur në vitin 2020, u pasua nga njohja e Republikës së Kenias, një shtet afrikan të cilin e bindi kreu i AKR-së dhe ish-presidenti, Behgjet Pacolli.
Ndërkohë nga Brukseli zyrtar kanë thënë se janë në dijeni për veprimet e Serbisë, por s‘kanë pasur ndonjë qëndrim kritik.
Por cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit aleat të Kosovës që ka ndihmuar shtetin më të ri në botë në marrjen e njohjeve të reja dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar?
Në një përgjigje për Gazetën Express nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e para për një media të Kosovës që kur diplomacia amerikane drejtohet nga Sekretari, Marco Rubio, të pyetur për njohjen e Kenias dhe për veprimet destruktive të Serbisë, kanë thënë se SHBA e ka mbështetur prej një kohe të gjatë Kosovën për t’u bërë shtet sovran, demokratik e prosperues.
“Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kreu i AKR-së Behgjet Pacolli më 26 mars 2025 kishte publikuar fotografi nga Nairobi për të lajmëruar një njohje të re, për të cilën Kosova kishte pritur shumë gjatë. Pacolli kishte ftuar institucionet e Republikës së Kosovës që sa më shpejt të vepronin për vendosjen e raporteve diplomatike me Kenian, duke sugjeruar edhe pasjen e një Ambasade të përbashkët me atë të Shqipërisë në Nairobi./gazetaexpress.com