ShBA merr një tjetër vendim për Ukrainën

19 prill 2022 | 07:51

Ushtria e Shteteve të Bashkuara pritet të fillojë stërvitjen e ushtarëve ukrainas për përdorimin e armëve amerikane të artilerisë së rëndë “howitzer” në ditët në vijim, tha të hënën një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes. Një “howitzer” është përgjithësisht një armë me rreze të gjatë veprimi e ngjashme me një top, e cila ka predha më të vogla e që mund të gjuajë më me shpejtësi.

Javën e kaluar presidenti amerikan Joe Biden njoftoi një ndihmë ushtarake shtesë prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën, duke e zgjeruar ndihmën me armë të artilerisë së rëndë, përpara një sulmi më të gjerë rus në Ukrainën lindore.

Deri më tani katër avionë të ngarkuar me armë janë dërguar nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën si pjesë e paketës së re të ndihmës.

Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti, tha se trajnimi mbi përdorimin e armëve të artilerisë së rëndë do të zhvillohet jashtë Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë t’i stërvitin ushtarët ukrainas se si të përdorin disa nga armatimet e reja, si artilerinë e rëndë “howitzer” dhe radarët. Ata do t’i përdorin njohuritë e tyre mbi armët për t’i stërvitur kolegët e tyre brenda Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara kanë stërvitur më parë forca ukrainase për përdorimin e dronëve “Switchblade”./VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka shkuar për një…