ShBA mirëpret marrëveshjen për ndërtimin e “Kosovës se Re”
Ambasade e ShBA-së në Prishtinë përmes një deklarate për medie ka mirëpritur marrëveshjen mes Qeverisë së Kosovës dhe “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”.
“Ne mirëpresim marrëveshjen e djeshme mes Qeverisë së Kosovës dhe ‘Contour Global’ e cila paraqet një hap shumë të madh drejtë sigurisë energjetike në Kosovë. Pasiguria energjetike është një nga pengesat më të mëdha të Kosovës për zhvillimin e saj ekonomik. USAID-i ka porositur studime që kanë përllogaritur se humbjet ekonomike të Kosovës shkojnë në 300 milionë Euro në vit për shkak të furnizimit të pasigurtë me energji elektrike”, është thënë në deklaratën e Ambasadës së ShBA-së.
Në këtë deklaratë thuhet se projekti “Kosova e Re” do të përmbushë standarde të rrepta evropiane për efektshmëri.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka punuar me Kosovën që nga viti 2003 që t’ia sigurojë asaj të ardhmen energjetike, dhe ka përkrahur përsëritje të ndryshme të këtij projekti që nga viti 2006. Projekti “Kosova e Re” do të përmbushë standarde të rrepta evropiane për efektshmëri dhe emisione, dhe do të jetë në përputhshmëri me studimet e Bankës Botërore që tregojnë se thëngjilli është opsioni më i përballueshëm për Kosovën. “Kosova e Re” po ashtu do të mundësojë që më shumë burime të energjisë së ripërtërishme të integrohen në sektorin e energjisë në kuadër të përkushtimit të Kosovës për përdorim të 25% të energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2020, dhe për mbylljen përfundimtare të termocentralit “Kosova A”, dhe me këtë zvogëlimin e mëtutjeshëm të emisionit të karbonit në Kosovë. Kur të përfundohet, “Kosova e Re” do të jetë investimi më i madh i huaj privat në historinë e Kosovës”, është thënë në deklaratën e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.