SHBA ndalon një lojë në “Steam” pasi simulonte sulme në shkolla
Simulimi i një sulmi në shkollë nuk është më në dyqanin “online” të kompanisë “Steam”, pas reagimit të ashpër që kjo lojë elektronike hasi në SHBA.
Loja “Active Shooter”, apo “Agresori aktiv” u kritikua ashpër nga prindërit e viktimave të sulmeve të vërteta në shkollat amerikane, e peticioni për ta kundërshtuar shitjen e saj u firmos nga 180 mijë njerëz.
“Valve”, kompania nënë e “Steam”, tha se vendosi të mos e nxjerrë lojën në treg, pasi krijuesi i saj kishte histori sjelljeje të pahijshme, transmeton tch.
Megjithëse loja nuk do të shitet, justifikimi i kompanisë zemëroi edhe më shumë kritikët e saj, që thonë se nuk u dëgjua asnjë falje për një lojë ku simulohej një sulm masiv ndaj shkollave.
Siç shihet edhe nga klipi i lojës, që bënte pjesë në reklamën për shitjen e saj, lojtari është në rolin e agresorit që hyn në ambientet e shkollave dhe vret nxënës e mësues, po ashtu lufton edhe kundër policisë.
Lojëra të tilla të dhunshme, me vrasje masive civilësh, shiten prej vitesh në dyqanin online të “Steam” dhe ka nga ata që thonë se është absurd ndalimi i kësaj të fundit, pasi ose duhen ndaluar të gjitha, ose asnjëra.
Analistët thonë se në klimën aktuale në SHBA, ku janë kryer mbi 20 sulme nëpër shkolla vetëm këtë vit, publikimi i lojës më të fundit nuk ishte një lëvizje e zgjuar për biznes.