
SHBA njofton se Rusia është pajtuar për armëpushim detar, Ukraina do të sigurojë “navigim të sigurt në Detin e Zi”
Shtëpia e Bardhë sapo ka publikuar dy përmbledhje të bisedimeve të saj me Rusinë dhe Ukrainën, duke njoftuar në thelb një marrëveshje për një armëpushim në det “për të siguruar navigim të sigurt, për të eleminuar përdorimin e forcës dhe për të parandaluar përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi.”
Ajo gjithashtu tha se të dy vendet ranë dakord të “përpunojnë masa për zbatimin” të marrëveshjes më të hershme për të ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, siç thuhet në të dyja deklaratat, raporton The Guardian.
Ukraina dhe Rusia gjithashtu do të “vazhdojnë punën për arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjatë,” thuhej në deklarata.
Në përmbledhjen e veçantë për Ukrainën, Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se SHBA ka konfirmuar se “mbetet e angazhuar për të ndihmuar në realizimin e shkëmbimit të të burgosurve të luftës, çlirimin e të burgosurve civilë dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të transferuar me forcë.”
Dokumenti i veçantë për Rusinë theksoi se SHBA do të ndihmojë “të rindërtojë aksesin e Rusisë në tregun botëror për eksporte bujqësore dhe plehra, të ulë kostot e sigurimeve detare dhe të përmirësojë aksesin në porte dhe sisteme pagese për transaksionet e tilla.”
Të dy versionet përfunduan duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara riafirmuan urdhërin e Presidentit Donald J. Trump që vrasjet nga të dyja palët në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës duhet të ndalojnë, si një hap i nevojshëm për arritjen e një marrëveshjeje paqeje që do të mbajë.”
“Për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të lehtësojnë negociatat midis të dyja palëve për të arritur një zgjidhje paqësore, në përputhje me marrëveshjet e arritura në Riad,” thanë ata.