ShBA: Palmer dhe Grenell do të punojnë ngusht për të arritur marrëveshjen Kosovë-Serbi
“Shtetet e Bashkuara shohin një mundësi historike për Serbinë dhe Kosovën që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të normalizuar raportet midis tyre”, i tha “Radios Evropa e Lirë” një zëdhënës në Departamentin Amerikan të Shtetit.
“Vendimi i presidentit për të emëruar të dërguarin Presidencial për Bisedimet Paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nënvizon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për paqe, stabilitet dhe prosperitet për popullin e Serbisë dhe të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka emëruar të enjten mbrëma ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin e presidencial për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në muajin gusht të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit ka emëruar gjithashtu të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
DASH thotë se Palmer do të punojë ngusht me Grenellin për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.