SHBA përgatit Kievin për ofensivën e pranverës

16 mars 2023 | 16:16

Ushtria amerikane po përshpejton dërgimin e armëve në Ukrainë dhe po trajnon forcat ukrainase me një ritëm të shpejtë, përpara një ofensive të madhe kundër Rusisë që pritet në fund të pranverës.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, gjatë një takimi të Grupit  të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës,  tha se Ukraina nuk kishte kohë për të humbur.

“Ne duhet të përmbushim shpejt dhe plotësisht ato çfarë i kemi premtuar Ukrainës,” tha Austin. “Kjo përfshin dërgimin e armëve të blinduara në fushën e betejës dhe të sigurojmë që ushtarët ukrainas të marrin trajnimin e duhur, pjesët rezervë dhe mbështetjen që u nevojitet për të përdorur këto sisteme të reja, sa më shpejt të jetë e mundur.”

Me afrimin e pranverës, zyrtarët amerikanë janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për pakësimin e furnizimit të Ukrainës me municione, mbrojtje ajrore dhe ushtarë me përvojë, raporton abcnews.al.

Moska dhe Kievi vazhdojnë të grumbullojnë trupa për luftën e Bakhmut, një qytet juglindor që SHBA-të nuk e konsiderojnë të rëndësishëm strategjikisht. Por Pentagoni ka deklaruar se pavarësisht nga strategjia e Kievit në fushën e betejës, SHBA-të duan që ushtarët e Ukrainës të kenë armët e nevojshme për të vazhduar luftën.

Rusia ka goditur për muaj me radhë vendin me raketa, duke kërkuar jo vetëm të shkaktojë shkatërrim, por edhe të shterojë rezervat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Ushtarët ukrainas janë hasur me mungesa të municioneve bazë, duke përfshirë predha mortajash dhe predha artilerie.

Dhe mbi 100,000 forca ukrainase kanë vdekur në luftën njëvjeçare, sipas vlerëvsimeve të zyrtarëvee amerikanë, duke përfshirë ushtarët më me përvojë. Shumë nga këto humbje janë rregjistruar në Bakhmut, ku të dyja palët kanë regjistruar viktima të shumta.

E udhëhequr nga ushtarët e grupit mercenar Wagner, Rusia ka rrethuar qytetin juglindor për nëntë muaj, duke e kthyer atë në gërmadha. Forcat ukrainase kanë refuzuar të dorëzohen, me presidentin Volodymyr Zelensky që këmbëngul se mbrojtja e Bakhmutit është çelësi për mbrojtjen e qyteteve të tjera lindore.

“Rusët qartazi dëshirojnë të avancojnë drejt kufijve të Donetskut deri në perëndim, dhe për ta bërë këtë, ata duhet të marrin në kontroll Bakhmutin” tha Dara Massicot, studiuese e lartë e politikave, në Institutin RAND.

Por Austin tha se Bakhmut është “më shumë një vlerë simbolike sesa një vlerë strategjike dhe operacionale “.

Në vend të kësaj, zyrtarët amerikanë janë më të përqendruar në përgatitjen e Ukrainës për një ofensivë të madhe pranverore për të rimarrë territore, të cilën ata presin të fillojnë deri në maj.

Qindra tanke dhe automjete të blinduara perëndimore, duke përfshirë për herë të parë tetë automjete të blinduara janë rrugës për në Ukrainë. Partnerët amerikanë dhe europianë po dërgojnë gjithashtu sasi masive municionesh dhe predhash 155 mm, të cilat Ukraina i ka cilësuar si nevojën e saj më urgjente.

Ndërsa zyrtarët amerikanë janë të kujdesshëm që të mos i tregojnë Kievit se si të luftojë, udhëheqësit e Pentagonit thanë të mërkurën se pajisjet dhe trajnimet që po ofrohen do t’i mundësojnë Ukrainës të fitojë luftën,  ku dhe kur vendos ta bëjë këtë, raporton abcnews.al.

“Ekziston një përpjekje e vazhdueshme e rëndësishme për të ndërtuar ushtrinë ukrainase për sa i përket pajisjeve, municioneve dhe trajnimit në një sërë vendesh, në mënyrë që Ukraina të ketë mundësinë të mbrohet, “ tha kreu i Shefave të Përbashkët Gjeneral Mark Milley.

Më shumë se 600 ukrainas në shkurt përfunduan një program trajnimi pesë-javor në Gjermani që përfshinte aftësi bazë të tilla si gjuajtjet, së bashku me trajnimin mjekësor dhe udhëzimet për manovrimin e armëve të kombinuara me automjetet luftarake Bradley të prodhimit amerikan dhe automjetet e blinduara Stryker.

Ato forca tani janë kthyer në fushën e betejës dhe një grup i dytë prej qindra ushtarësh shtesë tani po vazhdojnë programin. Kievi nuk ka vendosur ende një strategji, thanë zyrtarët amerikanë, por në thelb ka dy opsione: të përparojnë jug përmes Khersonit në Krime, ose të lëvizë në lindje nga pozicioni i tij verior dhe më pas në jug.

Opsioni i parë nuk është realist, pasi Rusia ka shtuar forcat në mbrojtjen e saj në anën lindore të lumit Dnipro dhe Ukraina nuk ka ushtarë për një operacion të suksesshëm amfib kundër asaj lloj force.

E dyta është më e mundshme, thonë zyrtarët.

Përveç dërgimit të armëve dhe trajnimit, gjeneralët e lartë amerikanë pritën zyrtarë ushtarakë ukrainas në Wiesbaden të Gjermanisë këtë muaj për të ndihmuar Kievin në fazën tjetër të luftës.

Presidenti Joe Biden muajin e kaluar përjashtoi mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë F-16 dhe zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë vazhdimisht se për momentin nuk kanë plan të dërgojnë avionë në Ukrainë, raporton abcnews.al.

Por sapo Ukrainës t’i  mbarojnë municionet, humbjet në ushtarë dhe pajisje do të detyrojnë Moskën t’u bëjë thirrje vendeve si Irani për armë shtesë.

“Rusia mbetet e izoluar, rezervat e saj ushtarake po mbarojnë me shpejtësi, ushtarët janë të demoralizuar, rekrutët janë të patrajnuar dhe  pamotivuar”, tha Milley.

Publikisht, zyrtarët e lartë thonë se i takon Zelensky-t se kur dhe ku të nisë një ofensivë të re, dhe nëse do të qëndrojë në Bakhmut apo do të rigrupojë forcat e tij.

“Presidenti Zelensky po lufton të fitojë dhe ai do të bëjë thirrje për atë që është e rëndësishme dhe çfarë jo”, tha Austin.

Por ai vuri në dukje se: “Ne po gjenerojmë fuqi luftarake, në një shkallë që besojmë se do t’u ofrojë atyre mundësi për të ndryshuar dinamikën në fushën e betejës.” Nga Lara Seligman, Politico

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten e 17 marsit mbahet finalja e madhe e…