SHBA përplaset me Kinën dhe Rusinë për Koren Veriore
Shtetet e Bashkuara janë përplasur me Kinën dhe Rusinë në Kombet e Bashkuara rreth thirrjes së këtyre të fundit për lehtësim të sanksioneve kundër Koresë Veriore.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, ka thënë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se “zhvillimet e fundit pozitive” në marrëdhëniet mes Koresë Veriore dhe asaj Jugore, të kombinuara me lidhje më të ngrohta në mes të SHBA-së dhe Koresë Veriore, duhet të rezultojë me lirim të disa sanksioneve, të cilat i ka miratuar Këshilli i Sigurimit vitin e kaluar, në mënyrë që ta ndëshkojë Phenjanin për programin e armëve bërthamore.
Rusia ka përkrahur thirrjen e Kinës për të rishikuar sanksionet, pas ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se ata nuk duhet të jenë pjesë e “ndëshkimit kolektiv”, dhe se sipas tij, tani është koha për të dërguar një sinjal pozitiv te Phenjani për të inkurajuar arritjen e marrëveshjeve.
“Hapat e verikoreanëve drejt çarmatimit gradual duhet të përcillen me lehtësim të sanksioneve”, ka thënë Lavrov.
Mirëpo Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i përkrahur nga aleatët Perëndimorë, ka kundërshtuar zërat për lehtësim të sanksioneve, duke thënë se këto masa duhet të vazhdojnë të jenë të ashpra, derisa Koreja Veriore të marrë hapa konkretë për braktisjen e armëve bërthamore.
Pompeo, i cili do të zhvillojë vizitën e tij të tretë në Phenjan muajin e ardhshëm, ka shpresuar, për siç ka thënë ai, “agimin e një dite të re” në Gadishullin Korean.
“Zbatimi i sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet të vazhdojë dhe nuk duhet të dështojë derisa të realizohet denuklearizim përfundimtar, i plotë dhe i verifikueshëm”, është shprehur Pompeo./rel/