ShBA përshëndet rezultatin e referendumit për emrin në Maqedoni
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë përshëndetur rezultatet e referendumit të së dielës në Maqedoni, në të cilën qytetarët i dhanë mbështetjen anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE me mbështetjen e marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë.
“SHBA mbështet fuqishëm zbatimin e plotë të marrëveshjes së Prespës, e cila i mundëson Maqedonisë vendin e merituar në NATO dhe BE, që do të kontribuojë për stabilitet rajonal, siguri dhe prosperitet”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
“Në periudhën që pason kur Kuvendi i Maqedonisë do të nisë debatin për ndryshimet kushtetuese, u bëjmë thirrje liderëve që të ngriten mbi politikat partiake dhe të mos e lëshojnë mundësinë historike për të siguruar të ardhmen e ndritur për vendin, si anëtare me të drejta të plotë e institucioneve perëndimore”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e këtij Departamenti.
Në referendumin e së dielës në Maqedoni, sipas të dhënave paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në votime kanë dalë 36.11 për qind e trupit të përgjithshëm votues, apo rreth 585 mijë nga 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.
Të dhënat kanë të bëjnë me 85.7 për qind të materialeve të përpunuara nga vendvotimet. Nga ata që kanë dalë në votime, 532 mijë apo 91.5 kanë votuar “për” kurse 31 mijë apo 5.8 për qind kanë votuar “kundër”.