ShBA: Plan për të përshpejtuar procesin e dëbimit të imigrantëve
Administrata e presidentit Biden po krijon një proces të ri që synon të shkurtojë kohën e vendosjes për emigrantët e sapoardhur në gjykatat e imigracionit nga disa vite në afërsisht gjashtë muaj. Vendimi vjen në një kohë kur emigracioni është një shqetësim në rritje për votuesit.
Sipas iniciativës së shpallur të enjten, emigrantët e pamartuar do të dërgohen në pesë qytete, ku një grup i përzgjedhur gjyqtarësh do të shqyrtojë çështjet e tyre brenda 180 ditëve.
Ky do të jetë një përparim i madh në shqyrtimin e çështjeve në sistemin e mbingarkuar të imigracionit, i cili tani merr mesatarisht katër vjet për shqyrtimin e një rasti. Vendimet e shpejta për çështjet e imigrantëve do të ndihmojnë autoritetet të dëbojnë më shpejt njerëzit që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vend.
Por nuk është e qartë se sa imigrantë do të kalojnë përmes këtij procesi të ri, një çështje që tashmë ka ngritur pikëpyetje rreth efektshmërisë së tij. Detajet u parashtruan nga zyrtarë të lartë të administratës amerikane gjatë një telefonate me gazetarët të enjten. Ata folën në kushte anonimiteti.
Listat e çështjeve të emigrantëve do të dërgohen në Atlanta, Boston, Çikago, Los Anxhelos dhe Nju Jork. Zyrtarët thanë se këto qytete u zgjodhën sepse gjykatësit e tyre kishin më shumë kohë të shqyrtonin rastet e imigrantëve të sapo ardhur. Sipas tyre, këto qytete të mëdha janë destinacion kryesor i imigrantëve.
Tani, kur imigrantët mbërrijnë, veçanërisht familjet, ata pothuajse gjithmonë lirohen ligjërisht në vend, ku presin datat e gjyqit të tyre të azilit, një proces që zgjat me vite./VOA