SHBA po mendon të ndalojë TikTok
Sekretari Amerikan i Shtetit deklaroi se Shtetet e Bashkuara po mendojnë të ndalojnë hapjen e aplikacionit TikTok dhe disa aplikacioneve të tjerë kinezë. Gjatë një interviste në Fox News të hënën, Pompeo u pyet nëse SHBA duhet të marrë në konsideratë ndalimin e rrjeteve sociale kineze, “veçanërisht TikTok”.
“Sa i përket aplikacioneve kineze në telefonat e njerëzve, ju siguroj që edhe në këtë rast SHBA do të marrë vendimin e duhur”, tha ai. “Nuk dua të flas para presidentit Trump, por po e shikojmë këtë mundësi”.
Diplomati më i lartë amerikan gjithashtu shtoi se njerëzit duhet ta shkarkojnë aplikacionin “vetëm nëse doni që informacionet tuaja private të jenë në duart e Partisë Komuniste të Kinës”.
“TikTok drejtohet nga një CEO amerikan, me qindra të punësuar në fushën e sigurisë, dhe politikave publike këtu në SHBA”, tha një zëdhënës i TikTok në një deklaratë, pas komenteve të Pompeo-s. “Nuk i kemi dhënë kurrë qeverisë kineze të dhëna mbi përdoruesit tanë dhe nuk do ta bëjmë kurrë nëse na kërkohet”.
TikTok, që është në pronësi të “ByteDance”, një kompani “startup” me seli në Pekin, është akuzuar shpesh nga politikanë amerikanë se kërcënon sigurinë kombëtare për shkak të lidhjeve me Kinën.